A është mjaftueshëm i sigurt përdorimi i e-banking / mobile banking apo është shumë riskoz?

29/05/2020

A është mjaftueshëm i sigurt përdorimi i e-banking / mobile banking apo është shumë riskoz?

Kjo pyetje ngjason me “A është i sigurt fluturimi me avion apo është riskoz”?

Sipas statistikave të aksidenteve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mjeti më i sigurt i transportit është fluturimi me avion i cili ka një raport prej 0.07 fatalitete për një milliard milje – pasagjerë dhe më riskozi është motori i cili ka një risk fataliteti prej 7.3 për një milliard milje – pasagjerë. Me fjalë të tjera, linjat arjore janë 105 herë më të siguta se udhëtimet me motor. Por rrëzimet e avionëve marrin më shumë vëmendjen e mediave duke krijuar kështu më shumë stres për pasagjerët. E fillova artikullin me anologjinë e transportit, i cili është shumë i ngjashëm me bankingun. Siguria e kanaleve digjitale është e ngjashme me sigurinë e avionëve. Të fluturosh për diku është shumë e volitshme nga pikëpamja e kursimit të kohës dhe ofron një rehati të madhe nga pikëpamja e komoditetit. Për më tepër, është edhe më i sigurti pavarësisht frikës sonë të brendshme. Por, ka disa rregulla të sigurisë që duhen zbatuar si përpara ashtu edhe gjatë fluturimit, të cilat ndonjëherë mund të jenë edhe të mërzitëshme. Kontrolli i bagazheve, kufizimi i lëngjeve, kufizimi në përdorimin e pajisjeve elektronike, rripi i sigurisë dhe rregullat të tjera rikujtohen herë pas here nga stjuardesat në çdo fluturim.

Ne mund të vazhdojmë ta përdorim metaforën e aeroplanit për përdorimin e kanaleve digjitale. Janë disa rregulla që duhet tu bindemi me lehtësi. Nëse kujdesesh të zbatosh rregullat, kanalet digjitale do të jenë mënyra më e sigurt dhe më e volitshme për të bërë banking. Ju mund të shmangni riskun e vjedhjes, riskun e sigurisë fizike, kohën e humbur, riskun e koronavirusit dhe të sëmundjeve të tjera pandemike, madje edhe riskun social e ekspozimit të shpeshtë në ambjentet e bankave i clii mund të tërheq vëmendjen e miqve apo të afërme për t’ju kërkuar para borxh etj.

Cilat janë rregullat që duhet të ndiqen?

  1. Mos ndani me askënd fjalëkalimin tuaj (përfshirë edhe PIN-in e kartës)

Ky është parimi bazë i bankingut digjital. Fjalëkalimi duhet të dihet vetëm nga përdoruesi (nuk duhet të dihet as nga bashkëshorti /bashkëshortja). Nëqoftëse, ju e ndani atë me pjesëtarët e familjes tuaj, duhet të dini se përgjegjësia është e juaja.

  1. Kujdesuni të mos e humbisni celularin tuaj (nëqotfëse e humbisni merrni masa të menjëhershme) 
  • Mos e përdorni celularin tuaj pa fjalëkalim, ju mund të përcaktoni një fjalëkalim ose elemente të tjerë sigurie si pattern, fingerprint, face recognition* or iris recognition (*disa teknika të face recognition janë të dobta dhe mund të pranojnë edhe foto).
  • Asnjëherë mos e lini celularin jashtë vemendjes tuaj. Instaloni një aplikacion “shpëtimi” (anti-theft and rescue app) i cili ndihmon të gjeni telefonin tuaj, ta bllokoni në distancë dhe madje të fshini të dhëna nëqoftëse telefoni ju është vjedhur. Disa telefona i kanë këto aplikacione të instaluara që në fillim si përshembull “Find my iPhone” etj.

Nëqoftëse nuk e kyçni telefonin tuaj, sugjerohet që aplikacioni bankar të mbyllet menjëherë sapo të mbaroni së kryeri veprime. Megjithatë shumica e bankave aplikojnë rregulla automatike për mbylljen e sesioneve, por se kujdesemi më shumë është edhe më mirë.  

  1. Duhet të siguroheni se jeni duke përdorur faqen zyrtare të bankës dhe jo një faqe klon

Mënyra më e lehtë për mashtruesit është të përdorin faqe të web-it që duken si të vërteta. Ata përdorin faqe interneti me emra të ngjashëm me bankën për të marr apo vjedhur të dhëna nga klientët. Mënyra më e mirë për të shmangur këtë risk është përdorimi i aplikacioneve bankare që shkarkohen nga App Store apo Google Play në vend të përdorimit të shfletuesve si Opera etj. Megjithëse kjo nuk mund të ndodhi me aplikacionet, përsëri ju duhet të kërkoni mbi zhvilluesit, të lexoni komentet dhe të kontrolloni vlerësimin e aplikacionit në Google Play apo App Store përpara se të shkarkoni ndonjë aplilkacion në telefonin tuaj. Aplikacione keqdashëse me dizenjim të dobët mund të përdorin emrin e përdoruesit dhe fjalëkalimin për të hyrë në llogaritë bankare me qëllim monitorimin apo përdorimin e fondeve.   
 
Nëqoftëse doni të përdorni shërbimet e e-banking, ju duhet të shkruani emrin e faqes zyrtare të bankës. Mos përdorni linqe që mund ti keni marr nga dikush tjetër. Bankat asnjëherë nuk kërkojnë të dhënat tuaja personale apo të dhënat e kartës duke ju dërguar emaile, sms apo t’ju telefonojnë. Faqet zyrtare të bankave janë të sigurta (këtë mund ta evidentoni duke kontrolluar në anën e majtë të emrit të faqes së bankës e cila duhet të përmbaj https:// në vend të http://).
Bankat ju tregoj në pullën e sigurisë të cilën ju e keni zgjedhur më parë për tu autentifikuar dhe kjo për tu siguruar që jeni vërtet ju në faqe. Mesazhet apo fjalëkalimet elektronike njëpërdorimshe janë gjithashtu element të fortë sigurie.

  1. Mos i ndiqin linqet që ju dërgohen

Ka shumë emaile fallco që dërgojnë linqe dhe ju kërkojne informacione konfidenciale si përshembull fjalëkalimin, numrin i telefonit të përdoruesit, mbiemrin e vajzërisë së nënës, numrin e kartës, pin-in e kartës etj. Me qëllim që të jenë bindës tek klientët ata mund të dërgojnë emaile me adresa të ngjashme me atë bankës dhe përpiqen të tërheqin vemendjen tuaj duke thënë ‘fituat një llotari’, ‘fituat 10,000 euro’ dhe për sigurinë tuaj duhet të përditësoni të dhënat në link, apo ju përfituat diçka nga një institucion publik etj.
Konrolloni gjithmonë URL-të dhe domain të çdo linku që do të klikoni, veçanërisht nëse duket sikur po vjen nga banka. Nëqoftëse duket i dyshimtë shmangeni. E njëjta gjë vlen dhe për mesazhet e SMS apo measazhet dhe linqet e mediave sociale. Nëqoftëse, gabimisht keni dhënë fjalëkalimet duhet ti ndërroni ato menjëherë.     

  1. Mos përdorni Wi-Fi publike për të përdorur aplikacionin bankar

Shumë nga rrjetet e Wi-Fi publike nuk kanë elementët me bazike të sigurisë dhe kanë konfigurime të dobta të router dhe të fjalëkalimeve. Bankingu nga telefoni apo aktivitete të tjera të cilat ekspozojnë të dhënat tuaja sensitive nuk duhet të bëhen kurrë në rrjete publike të Wi-Fi.
Nëqoftëse një haker monitoron Wi-Fi publik apo hotspotet që ju po përdorni, ai mund të kap të dhënat që po tranferohen tek telefoni juaj dhe mund ti përdorë ato për të marr akses të hyjë në llogarinë bankare. Nëse jeni duke lundruar në internet në një biblioteke apo kafene dhe keni nevojë që të hyni në llogaritë tuaja bankare përdorni rrjetin e celularit tuaj (mobile data). Nuk është zgjidhja perfekte por është më e mirë se përdorimi i Wi-Fi publik. Më mirë akoma do të ishte hapja e një VPN dhe përdorimi i Wi- Fi publik duke minimizuar riskun e kompromentimit të të dhënave tuaja personale. VPN enkripton trafikun tuaj në web, duke e bërë shumë të vështirë ndërhyrjen dhe deshifrimin e të dhënave.       

  1. Përdorni programe antivirusi

Nëqoftëse përdorrni e-banking, një program antivirusi ju mbron. Ju mund të gjeni programe anti – virusi për të përdorur falas ose nëse punoni në ndonjë institucion mund të përdorni kompjuterin e kompanisë. Departamentet e IT-së zakonisht i marrin të gjitha masat për të parandaluar risqe të tilla për kompaninë dhe ju mund të përfitoni nga standarte të tilla.

Cilat pajisje janë më të sigurta (Iphone apo Android)?

Aplikacionet bankare në iOS tentojnë të jenë më të sigurta falë standarteve rigoroze të App Store. Sistemet më pak të mbrojura të iOS janë sistemet jailbroken. Nuk ka ndonjë arsye të llogjikshme në përdorimin e sistemeve të tilla por disa përdorues të apple zgjedhin sisteme të tilla për të përdorur disa lojëra pa kosto. Jailbreak do të thotë të thyhesh standartet e vendosura në një sistem iOS, kështu që ju mund të bëni ndryshime në telefonin tuaj të cilat Apple nuk i lejon. Kjo do të thotë që ju keni një iPhone por ai duket si Android. Me një telefon jailbroken, ju mund të instaloni programe që nuk janë të autorizuara nga Apple dhe kështu ju hiqni protokollin e sigurisë që Apple ka integruar në pajisjen tuaj. Jailbreaking shmang gjithashtu garancinë, pra ju nuk mund të merrni suport nga Apple atëherë kur t’ju duhet. Nëqoftëse jeni një përdorues normal i iPhone, ju nuk duhet kurrë të jailbreak telefonin tuaj. Përdorni vetëm aplikacione që janë të sigurta brenda App Store.  Keqëdashit mund ti kapërcejnë mbrojtjet e Apple njëherë në disa kohë, kështu që ju duhet të jeni gjithmonë të kujdesshëm.          

Platformat Android japin më shumë fleksibilitet për përdoruesit, duke lënë më shumë hapësira në elementet e sigurisë në krahasim me iOS. Minimizoni riskun duke shkarkuar aplikacionet nga Google Play. Shkoni në menunë settings të Android dhe sigurohuni të hapni Google Play Protect, i cili skanon apliklacionet tuaja për ndonjë sjellje të çuditshme. Ju mund të përdorni gjithashtu menunë ‘Find my device’ i cili ju lejon të gjeni, mbyllni apo të fshini informacionin në distancë të telefonit tuaj. Rishikoni aplikacionet që keni shkarkuar dhe instaluar në telefonin tuaj dhe fshini ato aplikacione që nuk keni nevojë për ti përdorur më sepse secili përfaqëson një risk të shtuar. Aplikacionet e vjetra mund edhe të mos suportohen dhe janë të ekspozuara ndaj akteve dashakeqëse. Një sistem Android i pastër është një sistem i sigurt.  

Fatmir Shkodra

Sugjerime mbi tema të tjera

Ndikimi i rënies së euros në ekonominë shqiptare.
Rënia e euros në raport me lekun ka qenë një ndër temat më të diskutuara kohët e fundit në Shqipëri.
Të marrësh një kredi hipotekore apo të jetosh me qira?
Vendimi për gjetjen e një banese për të jetuar është një ndër vendimet më të rëndësishme që duhet të bëjë çdo familje.
Banka digjitale dhe ndikimi i saj në rritjen e përfshirjes financiare
Industria e shërbimeve financiare po pëson ndryshime teknologjike falë produkteve të reja financiare të ofruara online si nga institucionet bankare dhe ato jo bankare.