Si duhet t'i mësojnë prindërit fëmijët e tyre rreth përdorimit të parasë?

Sot diskutohet rreth nivelit të njohurive të fëmijëve në krahasim me të kaluarën për paratë dhe buxhetin e familjes. A mendoni se fëmijët e epokës digjitale janë shumë më të ditur? A kanë ata vetëbesim për të bërë pazar apo për të trajtuar çështje financiare në emër të familjeve të tyre? Aktualisht, nuk ka ndonjë përgjigje të qartë për asnjërën nga pyetjet. Ndonëse në të kaluarën adoleshentët ishin pjesë e procesit të prodhimit dhe u është dashur të përfshinin në shumë aktivitete ekonomike që në moshë të hershme, njohuritë financiare në përgjithësi ishin të kufizuara. Tani mund të shohim ekstreme, disa fëmijë milionerë nga YouTube ose kriptovaluta ose disa adoleshentë në botë të cilët janë bërë pjesë integrale e platformave të investimeve; por përveç këtyre janë disa fëmijë që nuk kanë asnjë ide për paratë, pasi familjet e tyre plotësojnë të gjitha nevojat e tyre pa u dhënë asnjë përgjegjësi, pasi refleksi prindëror është për të mbrojtur fëmijët dhe për t'u dhënë atyre rehati të plotë.

Pavarësisht nga ky diskutim, ekziston një realitet i pashmangshëm që ne duhet t'u mësojmë fëmijëve tanë konceptet e parasë, kursimeve, shpenzimeve, buxhetit për t'i përgatitur ata për jetën reale. Një faktor tjetër i rëndësishëm për edukimin financiar të fëmijëve është koha. Në kohën kur fëmijët janë mjaftueshëm të rritur për të marrë para xhepi dhe për të filluar adoleshencën, ata duhet të jenë mjaftueshëm të ditur se si funksionon paraja në shoqëri. Paraja është një mjet dhe është vërtet e rëndësishme ta kesh atë për çfarëdo qëllimi.

Një nga gjërat e para që prindërit duhet t'u mësojnë fëmijëve të tyre është rëndësia e kursimit të parave. Çdo familje ka rregullat e veta të parasë dhe këto rregulla duhet t'ia mësojnë fëmijës se ai/ ajo nuk mund të shpenzojë gjithçka që ka.
Vendosja mënjanë e parave është absolutisht thelbësore, sepse paratë që lihen mënjanë funksionojnë shumë mirë kundër të gjitha llojeve të urgjencave. Edhe fëmija duhet të mësojë se nëse ai/ ajo kursen para, disa objektiva bëhen të arritshme dhe mëson për lirinë ekonomike.

Përveç kursimeve, të kesh një kuptim themelor të investimit dhe riinvestimit mund të jetë i vlefshëm. Për shembull, investitori legjendar Warren Buffet e quan interesin e përbërë mikun më të mirë të investitorit. Edhe shumat e vogla bëhen të mëdha në periudha afatgjatë, e kjo duhet të mësohet së bashku me konceptin e borxhit dhe interesit. Fëmijët duhet të kuptojnë se paratë nuk janë të pakufizuara që mund t'i përdorni sa herë të duan duke tërhequr nga ATM. Edhe shpenzimi i parave mund të jetë një përdorim borxhi apo limiti nga karta bankare ose overdraft që nuk është aset i familjes. Ato janë vetëm mundësi që mund të përdoren në rast nevoje dhe duhet të kthehen.

Prezantimi i fëmijëve me dokumentacion të zakonshëm financiar në moshë të re mund t'i ndihmojë gjithashtu të kuptojnë konceptet e rëndësishme të parasë. E cila mund të jetë një dokument i thjeshtë si pasqyra e veprimeve të kartës së kreditit apo pasqyra e veprimeve me llogarinë. Kur përdorni një kartë krediti/ debiti, kjo nuk do të thotë që ju keni akses të pakufizuar në shumat virtuale brenda saj. Tregojini fëmijës tuaj pasqyrën e veprimeve të kartës të kreditit/ debitit dhe shpjegoni gjëra të tilla si balanca apo limiti juaj i kreditit. Ju gjithashtu mund t'i mësoni fëmijët tuaj se si funksionon jeta duke u treguar atyre shpenzimet që lidhen me ta (si pagesa e kampit veror ose një lodër e dëshiruar). Në fund të fundit, ndihmoni fëmijët tuaj të kuptojnë se gjithçka kërkon përpjekje dhe para.

Fëmijët, gjithashtu, duhet të kenë një kuptim të përgjithshëm të taksave. Fakti është se çdo person në shoqëri paguan taksa. Ndihmojini të kuptojnë çfarë është taksa kur blejnë gjëra për veten e tyre dhe të kuptojnë rritjen e papritur të çmimit.
T’i ndihmosh fëmijët për të mësuar rreth taksave kur janë të vegjël mund t'i ndihmojë ata të shmangin surprizat e pakëndshme kur të fillojnë të bëjnë paratë e tyre.

A.Shehu

Sugjerime mbi tema të tjera

Banka digjitale dhe ndikimi i saj në rritjen e përfshirjes financiare
Industria e shërbimeve financiare po pëson ndryshime teknologjike falë produkteve të reja financiare të ofruara online si nga institucionet bankare dhe ato jo bankare.
Banka digjitale dhe ndikimi i saj në rritjen e përfshirjes financiare
Shekulli XXI shënoi epokën digjitale në historinë njerëzore. Qenia njerëzore u prezantua me internetin dhe me të gjitha benefitet dhe pasojat që ai ofron.
Si duhet t'i mësojnë prindërit fëmijët e tyre rreth përdorimit të parasë?
Sot diskutohet rreth nivelit të njohurive të fëmijëve në krahasim me të kaluarën për paratë dhe buxhetin e familjes. A mendoni se fëmijët e epokës digjitale janë shumë më të ditur?