Lajmërime

Intervistë me Z. Fatih Karli, Zv. Drejtor i Përgjithshëm, Drejtor i Grupit të Operacioneve dhe Bankingut Dixhital
Dhënë për Ekofin, 4 qershor 2025



Muajt e fundit, keni realizuar disa ndryshime të rëndësishme në shërbimet bankare dixhitale, duke përmirësuar aplikacionin BKT Smart. Cilat janë disa prej përmirësimeve kryesore?

Inovacioni është një udhëtim i vazhdueshëm dhe ne përpiqemi të sjellim shumë zgjidhje të reja për të përmirësuar eksperiencën e klientëve tanë me bankën. Motoja jonë është “Pajisjet celulare vijnë të parat”, ndaj fokusohemi në ofrimin e zgjidhjeve pa ndërprerje. Këto zgjidhje mund të ndahen në dy kategori kryesore: përmirësime të vazhdueshme dhe ndryshime radikale.

Me BKT Smart, klientët mund të kryejnë të gjitha llojet e transfertave: brenda BKT-së, brenda vendit dhe ndërkombëtare. Madje klientët tanë mund të kryejnë një transfertë parash duke përdorur vetëm numrin e telefonit, pa pasur nevojë për numrin e llogarisë apo IBAN-in.

Klientët mund të kërkojnë para nga njeri-tjetri dhe mund të bisedojnë me njeri-tjetrin për çdo transaksion. Duke përdorur BKT Smart, klientët tanë mund të tërheqin ose depozitojnë para përmes ATM-ve. Ata mund të bëjnë blerje në dyqane duke skanuar kodin QR në POS ose kodin QR në faturën tatimore, pa përdorur pajisje POS. Skanimi i barkodit për pagesat e tatimeve dhe skanimi i kodit QR për pagesat e e-faturave po i lehtëson jetën klientëve tanë.

Pothuajse të gjitha llojet e pagesave të faturave mund të bëhen përmes BKT Smart, si faturat e energjisë elektrike, ujit dhe telekomunikacioni, shërbimet e internetit, etj. Aktivizimi i paketave për operatorët e telekomunikacionit dhe kompanitë e TV-së, pagesat për kopshtet, gjobat e trafikut, pagesat doganore, pagesat e tatimeve dhe të gjitha llojet e detyrimeve ndaj institucioneve qeveritare janë funksionalitete të tjera që ne ofrojmë. BKT ishte pionier në mundësimin e pagesave në e-Albania përmes kanaleve dixhitale dhe pa pagesë.

Klientët e BKT mund të rezervojnë dhe paguajnë shërbime sigurimesh nga kompani të ndryshme sigurimesh për makinat, shtëpitë, shëndetin në udhëtim nga BKT Smart dhe madje mund të hapin fond pensioni privat vullnetar ose të dërgojnë fonde në llogarinë e fondit të pensioneve.

Klientët tanë mund të ruajnë dhe përdorin kartat e besnikërisë direkt në aplikacion, pa pasur nevojë t’i mbajnë fizikisht. Kjo u lejon atyre t’i virtualizojnë dhe t’i përdorin lehtësisht në supermarkete apo dyqane të tjera.

Të gjitha transaksionet që lidhen me kartat e kreditit janë të mundshme përmes BKT Smart.  Përveç shfaqjes së detajeve të transaksioneve, veprimet mund të ndahen në këste, duke përfshirë blerjet online dhe ato jashtë vendit. Për veprimet e kryera në POS dhe ATM klientët njoftohen menjëherë përmes njoftimeve automatike. Përdoruesit e biznesit mund të paguajnë pagat përmes BKT Smart si një transfertë e thjeshtë, pa pasur nevojë të përdorin opsionin e pagesave masive. Kjo i lejon ata të kryejnë pagesat shpejt dhe lehtë, sipas nevojës.
 

Një nga inovacionet më të rëndësishme, që kursen kohën fizike të qytetarëve dhe radhët e gjata (bazuar në përvojën time personale, pasi disa ditë më parë kam hapur një llogari bankare), është mundësia që ofroni për t’u bërë klient i BKT-së plotësisht online përmes aplikacionit BKT Smart. Si funksionon kjo?"

Po, BKT ka lançuar shërbimin “Digital Onboarding” përmes BKT Smart, që u mundëson klientëve të rinj të hapin llogari pa qenë nevoja të vizitojnë një degë. Fillimisht ne bëm një lançim të butë, duke mbledhur reagime nga klientët tanë të rinj për këtë proces. Gjatë kësaj kohe, kemi bërë disa përmirësime për t’u përgjigjur kërkesave të tyre dhe për ta bërë procesin sa më të thjeshtë të mundshëm.

Besojmë se kjo do të ndihmojë ndjeshëm në reduktimin e radhëve në degët tona. Procesi është shumë i thjeshtë dhe kërkon vetëm kartën tuaj të identitetit dhe një foto portret.

Fillimisht, klienti i ri duhet të shkarkojë aplikacionin BKT Smart dhe të zgjedhë opsionin "Dua të bëhem klient i BKT". Pasi të ketë verifikuar adresën e emailit dhe të ketë aprovuar termat dhe kushtet, ai kalon në hapin e verifikimit të identitetit. Ky proces përfshin skanimin e kartës së identitetit dhe një video-verifikim për konfirmimin e prezencës fizike. Pas përfundimit të këtyre hapave, klienti firmos kontratën në mënyrë dixhitale, dhe sistemi automatikisht vijon me hapjen e llogarisë dhe aplikimin për kartë debiti. Procesi është i shpejtë dhe i lehtë e sapo të përfundojë, klienti mund të fillojë menjëherë përdorimin e llogarisë së tij.

Ne, si BKT, mirëpresim pothuajse çdo grup klientësh dhe mbështesim lloje të ndryshme transaksionesh, edhe pse disa prej tyre nuk janë fitimprurëse për ne dhe mund të krijojnë radhë në degët tona gjatë periudhave me fluks të lartë.

Ndërsa vijojmë të ndjekim politikën tonë të përfshirjes financiare, po zhvillojmë njëkohësisht mundësi dixhitale për t’u mundësuar klientëve tanë kryerjen e shërbimeve bankare pa pasur nevojë të vizitojnë degët. Madje, po ofrojmë shërbime dixhitale me kosto të ulëta dhe shpeshherë pa pagesë.

Gjatë vitit 2024, kemi arritur të reduktojmë me 20% transaksionet jo-cash në degë, ndërsa numri i përgjithshëm i transaksioneve është rritur me 12%. Kjo mbështet përpjekjet tona për të krijuar një ambient më të mirë shërbimi në degë.

Njëkohësisht, po dixhitalizojmë produktet tona nga fillimi në fund, me qëllim minimizimin e vizitave fizike në degë. Produkti ynë i parë plotësisht dixhital është overdrafti, i cili u mundëson klientëve të aplikojnë dhe të marrin aprovimin menjëherë, pa qenë nevoja të shkojnë në një degë.
 

Përparimi i teknologjisë dhe zgjerimi i shërbimeve online kërkon gjithashtu një rritje të sigurisë. Kohët e fundit, Shoqata e Bankave të Shqipërisë bëri thirrje për kujdes në lidhje me mashtrimet online. Çfarë ka bërë BKT në këtë drejtim?

Ka dy dimensione kryesore të mashtrimeve në shërbimet dixhitale:

  1. Siguria kibernetike, për të cilën kemi investuar miliona dollarë me qëllim sigurimin e nivelit më të lartë të mbrojtjes.
  2. Mashtrimet e tipit phishing/smishing, të cilat janë më të zakonshmet në Shqipëri.

Phishing dhe smishing lidhen kryesisht me imitimin e komunikimit, të ngjashme me ato të institucioneve të ligjshme (p.sh., bankat, agjencitë qeveritare si doganat, shërbimet postare ose kompani të njohura si supermarketet). Mashtruesit krijojnë email-e, SMS ose faqe interneti të rreme, të cilat duken të besueshme dhe i shtyjnë klientët të përditësojnë të dhënat personale si fjalëkalime, ose të ndajnë informacionin e kartës së tyre bankare, përfshirë kodin CVV dhe datën e skadencës. Qëllimi kryesor është vjedhja e kredencialeve të klientëve për të përdorur shërbimet bankare ose për qëllime të tjera mashtruese.

Përveç investimeve në sigurinë kibernetike, parandalimi i mashtrimeve nuk kërkon domosdoshmërisht investime të mëdha, por kërkon përpjekje të vazhdueshme për edukimin dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve. Ne kemi bashkëpunuar ngushtë me Shoqatën e Bankave të Shqipërisë për të krijuar materiale sensibilizuese mbi parandalimin e mashtrimeve dhe kemi mbështetur ekspertët tanë që të marrin pjesë në programe televizive për të rritur ndërgjegjësimin mbi këto kërcënime. Gjithashtu, kemi shtuar paralajmërime në të gjitha email-et dhe në mesazhe SMS, duke theksuar se banka nuk kërkon kurrë informacione personale përmes email-it, SMS-ve apo telefonatave.
 

Zhvillimet teknologjike po e bëjnë përdorimin e sistemeve të pagesave dixhitale edhe më të nevojshëm në Shqipëri. BKT ka lançuar 'e para' si një portofol dixhital për pagesa. Pse duhet të përdorin njerëzit 'e para' dhe cilat janë përfitimet?

"e para" është një kompani e re që ofron zgjidhje dinamike me një kulturë FinTech, duke synuar të zëvendësojë paranë fizike.

Avantazhi kryesor i "e para" është se ofron një zgjidhje plotësisht dixhitale dhe pa degë, duke e bërë të lehtë dhe të shpejtë gjithë procesin, nga regjistrimi si përdorues deri te përdorimi i shërbimeve. Klientët mund të kryejnë transferime të menjëhershme brenda portofolit, të përdorin balancën e tyre për të bërë blerje përmes skanimit të kodit QR, të realizojnë pagesa të ndryshme dhe të rimbushin celularët apo të paguajnë fatura si uji, energjia elektrike etj.

Fillimisht, "e para" iu drejtua individëve pa llogari bankare, atyre me akses të kufizuar në shërbimet bankare si dhe përdoruesve të njohur me teknologjinë. Megjithatë, me kalimin e kohës, kompania synon të zgjerojë shërbimet e saj dhe të diferencohet me oferta të veçanta për segmente të ndryshme të tregut.
 

Cilat janë disa nga objektivat dhe qëllimet kryesore të BKT për rritjen e mëtejshme të dixhitalizimit dhe lehtësimin e shërbimeve për klientët e saj, të cilat synoni t'i arrini gjatë vitit 2025?

Objektivat kryesore për këtë vit janë: zgjerimi i gamës së produkteve dixhitale nga fillimi në fund, maksimizimi i përdorimit të shërbimeve dixhitale dhe redukimi i përdorimit të parasë fizike përmes produkteve inovative. Më shumë detaje do të merrni kur të lançojmë shërbimet e reja.

Lajmet e tjera

Deklaratë Zyrtare nga Banka Kombëtare Tregtare
Intervistë për Ekofin, Qershor 2025, Z. Fatih Karli, Zv. Drejtor i Përgjithshëm
BKT inauguron degën e rinovuar në Elbasan!