Financat Personale!

15/07/2020

Financat Personale!

Vetëm disa muaj më parë novelisti anglez John Lanchester në librin e tij kritik të sistemit financiar, në tërësi shkruan se në këto dy vitet e fundit ka vazhduar një përpjekje në kërkim të shkaktarëve të krizës financiare globale. Asnjë institucion apo individ i vetëm nuk është shkaktari por tashmë të gjithë së bashku gjenden fajtorë. Autori shkon më tej me një shembull duke përmendur një fakt nga universitet amerikan, ku shefi i departamentit të ekonomisë thotë që kam ekonomistë shumë brilantë por që të gjithë flasin pas krizës ex-post, por asnjëri prej tyre nuk ishte në gjendje të fliste ose të shkruante përpara se kriza të ndodhte.

Në këto vitet e fundit është diskutuar jashtëzakonisht shumë për krizën që përfshiu gjithë botën. Kritika ndaj krizës kanë ardhur nga të gjitha drejtimet dhe grupet shoqërore. Por edhe ato që kritikojnë ose që gjykojnë janë në një mënyrë edhe kontribues në këtë krizë gjithëpërfshirë si organizmat rregullatore, qeveritë, institucionet financiare, individët, akademia etj. Nën këtë ide gjykojmë se observimi shumë kritik do të ndihmonte në qartësimin e faktorëve që sjellin efekte krize. Disa aspekte të financave personale në jetën tonë të përditshme janë shumë të rëndësishme dhe janë një nder kontribuesit kryesorë të gjendjes ku precipitoi sistemi financiar në tërësi dhe disa sektorë të ekonomisë në veçanti.

Dihet që tregu financiar sjell së bashku huamarrësit me investitorët. Kur ekonomia zhvillohet dhe ka rritje, ka gjithnjë më pak individë dhe biznese që nuk shlyejnë në kohë detyrimet/ kreditë. Kështu që bankat rrisin volumin e kredisë në treg dhe i bëjnë kushtet e kredisë gjithnjë e më të lehta, më të buta, më të përballueshme për individët dhe bizneset. Ky kredit i shtuar krijon mundësi që asetet të tregtohen gjithnjë e më shumë. Nga ana tjetër ky shtim krediti shton mundësinë për shpenzime dhe rritje të çmimit të aseteve. Kjo i bën njerëzit të ndihen më të pasur dhe si rrjedhojë bëhen më kërkues e më optimistë për më shumë kredi. Kështu vazhdon me radhë në forme cikli.

Është arritur në një konsensus që tre shkaktarët dominues që i dhanë formë krizës së sistemit financiar janë:

  • kreditimi me terma shumë të buta për disa vjet me radhë
  • maksimizimi në tërësi i këtyre mundësive nga klientët individë/ familjarë biznese të vogla, të mëdha etj
  • dhe mbivlerësimi jo normal i pasurive të paluajtshme

Këto të tre faktorë janë të lidhur me sjelljen e klientit/ huamarrësit dhe me mënyrën sesi menaxhohen financat personale nga ana tjetër.

Le të sjellim së pari në shqyrtim konceptin e pasurisë neto të individit. Kjo pasuri konsiston në të mirat /shërbimet dhe prodhimet që disponon dhe konsumon/ përdor. Ndërsa, asetet financiare nuk janë pasuri reale në vetvete por një pretendim mbi asetet reale. Me fjalë të tjera, ato derivojnë nga dëshira për të shtyrë konsumin në kohë. Kështu që paratë mund të kursehen për arsye sigurie për të ardhmen ose për qëllime investimi për të pasur të mira materiale në një kohë të mëvonshme.

Kur çmimet e këtyre aseteve rriten, nuk do të thotë që asetet reale, pasuria reale në nivel kombëtar, është rritur domosdoshmërisht. Një ilustrim i thjeshtë i argumentit të mësipërm do të ishte:
- katër individë që ndajnë një tortë në katër pjesë dhe ku çmimi është tre euro porcioni. Nëse çmimi bëhet pesë euro porcioni nuk ka asnjë arsye të besohet se këta individë tashmë janë më të pasur.

Se dyti, indekset që vende të ndryshme përdorin për tregjet e kapitalit. Duke qenë se këto indekse kanë shërbyer si vlerësues me përfaqësues së performancës ekonomike, çdo rritje në to ka krijuar mundësinë për relaksim në politikat e kreditit etj. Duke bërë të mundurën që individët dhe kompanitë të marrin gjithnjë e më shumë kredi edhe kur në shumë raste nuk mund ta përballonin. Kjo gjë në nivele kombëtare kë bërë që shumë banka të gjendeshin para fakteve që në mënyrë masive nuk ishin në gjendje të shlyenin detyrimet në kohë dhe rrjedhimisht bankat kërkuan ndihmë për likuiditet.

Së treti, tregu i pasurive të patundshme të shtëpive ka qenë një arsye pothuajse në gjithë botën. Edhe në Shqipëri rritja e çmimit të pasurive të paluajtshme ka qenë më e shpejtë se rritja ekonomike në këto10 vitet e fundit. Kjo rritje e çmimit të shtëpive jo domosdoshmërisht e bën një individ apo vend më të pasur. Këtu kemi dhe një shpjegim tjetër sepse për shumë vite me radhë kemi një crowding out effect përsa i përket investimeve në banesa dhe pasuri të paluajtshme. Kjo rritje e çmimeve të banesave ka krijuar përshtypjen se individët tashmë janë më të pasur dhe mund të përballojnë më shumë kredi, më shumë pagesa në muaj/ tremujor etj. Në fakt, të ardhurat e tyre mujore/ vjetore s’kishin ndryshuar aspak por si në shumë raste të tjera edhe për të tilla vendimarrje individët mbështeten në përceptime më shumë sesa në fakte dhe gjykime. Në fakt banesa ka një funksion për të akomoduar individët për strehim dhe në shumicën e rasteve pavarësishtë sesa e madhe është ajo apo sa vlen, pothuajse kryen të njëjtin funksion dhe nuk duhet të jetë shtysë për të marrë më shumë kredi.

Për të mos vazhduar më tej me rastet kur pa ndryshuar asgjë nga të ardhurat mujore të individit në momentin që është në gjendje të përfitojë edhe një kartë krediti tjetër, apo një mundësi të re për huamarrje jo vetëm që ndihet më i pasur, por edhe kërkon ta përfitojë atë ndërkohë që në kuptimin e aseteve neto pasuria e tij bie, pasi zakonisht këto produkte financimi përdoren për konsum dhe shtojnë detyrimet për tu paguar më vonë. Kjo dhe për arsyen se do të paguajë dhe interesin që lidhet me faturat e kartës së kreditit të cilat janë mbi shumën e marrë hua. Zgjidhja e duhur do të ishte pajisja me kartën e kreditit në rastet e planifikimit të një investimi pasuror të leverdisshëm për të.

Se katërti blerja e një aseti të mbivlerësuar, çfarëdo qoftë ai, me anë të huamarrjes/kredisë jo vetëm që nuk e ka bërë individin më të pasur por përkundrazi e kanë bërë më të varfër dhe kanë shtuar probleme në shërbimin e detyrimeve dhe menaxhimin e financave të tyre individuale apo të biznesit. Kur këto vendime jo racionale janë në masë të madhe gjenerojnë efekte që kontribuojnë fuqishëm në shfaqjen e problemeve të likuiditetit në shkallë agregate dhe fenomenin e krizës që vazhdon të përjetohet në vazhdim.

Në fakt, janë fondamentet ekonomike që duhet të orientojnë hapësirë për huamarrje, në tërësi kjo vlen edhe për individët/ familjet. Informacioni dhe edukimi mbi menaxhimin e financave personale kur behët fjalë për individët dhe ato të firmës kur bëhet fjalë për biznesin, është kritik. Sistemi bankar ka qenë dhe do të jetë gjithnjë krijues në gjetjen e metodave për të bërë gjithnjë e më atraktive shitjet e kredive apo financimeve të tjera që përputhen me nevojat që kanë familjet apo bizneset, por ne duhet të menaxhojmë financat personale për t’i përdorur këto produkte për tu bërë më të pasur dhe jo më të varfër. Kur themi fondamentet ekonomike kemi parasysh gjykimin në afat të mesëm dhe jo thjeshtë modelet dhe profilet matematike e vlerësuese që përdoren në mase të gjere sot nga bankat për të profilizuar klientët. Mos harrojmë se modelimet matematike jo pak herë kanë krijuar edhe ndërlikim në vendimmarrjen e personit/ familjes/ kompanisë. Nga ana tjetër perfeksionimi në maksimum i artit të shitjes në këto produkte/ shërbime nuk duhet të ngatërrohet me tundimin që sjell financimi i konsumit tej mundësisë ose përtej kapaciteteve për të shlyer detyrimet/ kredinë.

Në fund të fundit çështje që ngrihet për diskutim është se në ç’masë krijohen pasoja dhe sa ndikon shuma e këtyre vendimeve individuale në një situatë apo rezultat që e përjetojnë bankat, shoqëritë apo institucionet për ta zgjidhur dhe për t’iu përgjigjur me masa rregulluese e stabilizuese. Sa vjen e po rritet dakordësia se gabimet bëhen në kohën e boom-it dhe jo të rënies ekonomike prandaj dhe ky është mësimi kryesor në tërësi.

Nëse menaxhimi i riskut ka ekzistuar në shkallë firme/ banke /etj. nuk ka ekzistuar në nivel aq sa duhet në atë agregat apo kombëtar, gjë që tashmë po merret seriozisht nga institucione ndërkombëtare, qeveria etj.

Mbetet për tu mbajtur gjithnjë në konsiderate se në shumicën e rasteve masat stabilizuese janë në koston e tatimpaguesve çfarëdo lloj qoftë metoda e tyre e zgjedhur për të ndëhyrë e ruajtur stabilitetin në sistemin financiar. Ndaj sot, qeveritë, institucionet financiare dhe organizmat ndërkombëtarë po bëjnë një gjë të tillë duke vendosur një grup rregullash të qarta loje për të menaxhuar/ eleminuar këto kriza në të ardhmen.

Enes Rexha

 

Sugjerime mbi tema të tjera

Banka digjitale dhe ndikimi i saj në rritjen e përfshirjes financiare
Industria e shërbimeve financiare po pëson ndryshime teknologjike falë produkteve të reja financiare të ofruara online si nga institucionet bankare dhe ato jo bankare.
Banka digjitale dhe ndikimi i saj në rritjen e përfshirjes financiare
Shekulli XXI shënoi epokën digjitale në historinë njerëzore. Qenia njerëzore u prezantua me internetin dhe me të gjitha benefitet dhe pasojat që ai ofron.
Si duhet t'i mësojnë prindërit fëmijët e tyre rreth përdorimit të parasë?
Sot diskutohet rreth nivelit të njohurive të fëmijëve në krahasim me të kaluarën për paratë dhe buxhetin e familjes. A mendoni se fëmijët e epokës digjitale janë shumë më të ditur?