PO TANI ÇFARË TË BËJ!

Thonë shpesh që fati është i shkruar! Në këtë pikë qasjet dhe pikëpamjet janë të ndryshme por një gjë i bashkon, fati përgjithësisht i atribuohet ngjarjeve që ndodhin apo që mund të ndodhin. E në fakt mendja shkon në ato ngjarje që në një formë apo në një tjetër ndikojnë në mënyrë të drejtëpërdrejtë në jetën e përditshme të çdo kujt. Të mbetesh në një situatë financiare më të keqe se ajo ekzistuese është ndër frikërat më të zakonshme.

Ke punuar dhe sakrifikuar për një kohë të gjatë, ke bërë investimin e jetës por në një moment shikon si humbet para syve gjithçka për shkak të një zjarri, tërmeti, dështimi etj. Sigurisht që në këtë pikë fati mund të jetë një faktor, por marrja e masave për ta minimizuar pasojën që sjell ngjarja nuk lidhet më me fatin por me edukatën dhe ndërgjegjësimin e gjithkujt për ta adresuar riskun në mënyrë të duhur.

Prej shekujsh tashmë aplikohen teknika të transferimit të riskut te palët që i kanë kapacitetet financiare dhe profesionale për të manaxhuar në mënyrën e duhur risqet duke dëmshpërblyer për ngjarje që dëmtojnë financiarisht. Janë Kompanitë e Sigurimeve në veçanti dhe tregu i Sigurimeve në tërësi që e bën të mundur këtë.

Sigurimi është një teknike e identifikuar që në lashtësi me Babilonasit e Romakët. Këto shërbime morën trajta moderne në shekullin e 14-të në Itali e me pas në shekullin e 17-të në Britaninë e Madhe. Në kontekstin aktual, Sigurimet janë pjesë e pandashme e jetës normale në vendet e zhvilluara duke u kthyer në faktor të rëndësishëm stabiliteti financiar për çdo familje apo biznes.

Po në Shqipëri çfarë ndodh? Sigurimet në Shqipëri, krahasuar me tregjet ndërkombëtare, janë një shërbim i ri ashtu si në tërësi i gjithë tregu i lirë i shërbimeve. Përpjekjet e kompanive të sigurimit janë të shumta. Marketohet kudo! Por pse individët nuk e sigurojnë shëndetin, jetën, banesën, përgjegjësinë etj? Pse fokusi mbetet te sigurimit i autoveturës? E në fakt këtu lind paradoksi i shoqërisë shqiptare. Një gjë bëhet sepse je i detyruar ta bësh. Sepse një ligj apo rregullore të obligon të sigurohesh. E pse? Sepse mentaliteti që nuk na ndodh gjë madje edhe po ndodhi qeveria do kujdeset për dëmet është e rrënjosur thellë në kulturën kombëtare. Edhe pas shumë ngjarjeve që kanë ndodhur ndër vite kjo qasje nuk ka ndryshuar. Me mijëra të dëmtuar nga përmbytjet, me mijëra të dëmtuar nga tërmeti, me mijëra nga zjarret. Shumë pak prej tyre ishin të siguruar. Sikur mentaliteti i cdo kujt të ishte disi më ndryshe edhe buxheti i shtetit do ishte më falenderues duke i kanalizuar fondet për rikuperim në drejtime të tjera.

Disa thonë që është nje shpenzim i shtuar për individin madje i papërballueshëm. Por si mund të jetë një shpenzim i tillë kur sigurimi i banesës kushton më pak se një kafe në ditë! Sigurisht që nuk është çështje shpenzimi. Kjo është çështje mentaliteti, edukimi dhe ndryshimi i tyre është sfida e vërtetë.

Të fillojmë nga arsimi bazë. Tu mësojmë fëmijëve tanë si të identifikojnë risqet. E më pas në ciklet më të avancuara se si të menaxhojnë dhe transferojne këto risqe në formën më të përshtatshme. Këta individë që rriten me edukatën e përshtatshme financiare do marin personalisht përgjegjësinë e ngjarjes duke mos pretenduar nga palë të treta që suportin e japin sipas kontekstit të momentin. Tregu i lirë i shërbimeve i ka të gjithë instrumentet financiare për një jetë më të qetë, kur fati sido që të vijë, të mos na lërë me pyetjen: Po tani cfarë të bëj?

F.Beshku

Sugjerime mbi tema të tjera

Banka digjitale dhe ndikimi i saj në rritjen e përfshirjes financiare
Industria e shërbimeve financiare po pëson ndryshime teknologjike falë produkteve të reja financiare të ofruara online si nga institucionet bankare dhe ato jo bankare.
Banka digjitale dhe ndikimi i saj në rritjen e përfshirjes financiare
Shekulli XXI shënoi epokën digjitale në historinë njerëzore. Qenia njerëzore u prezantua me internetin dhe me të gjitha benefitet dhe pasojat që ai ofron.
Si duhet t'i mësojnë prindërit fëmijët e tyre rreth përdorimit të parasë?
Sot diskutohet rreth nivelit të njohurive të fëmijëve në krahasim me të kaluarën për paratë dhe buxhetin e familjes. A mendoni se fëmijët e epokës digjitale janë shumë më të ditur?