Shkëmbimi Automatik i Llogarive Financiare

Shkëmbimi Automatik i Llogarive Financiare

Në kuadër të zbatimit të ligjit Nr. 4/2020 “Për Shkëmbimin Automatik të Informacionit të Llogarive Financiare”, datë më 30.01.2020, Banka Kombëtare Tregtare sha ka detyrimin e zbatimit të tij dhe aktet nënligjore të derivuara në referencë të tij.

Për këtë qëllim, BKT është e angazhuar në përmbushjen e dispozitave të përcaktuara nga ky ligj, që i referohen zbatimit mbi Standardin e Përbashkët të Raportimit (CRS- Common Reporting System) të OECD-së mbi shkëmbimin automatik të informacionit për identifikimin e:

  • Rezidencës Tatimore të Llogarimbajtësit

dhe

  • Numrin e Identifikimit të Tatimpaguesit të klientit.

Standarti i Përbashkët i Raportimit (CRS) është një standard global, i krijuar nga OECD (Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik) në bashkëpunim me vendet e G20 dhe Bashkimin Europian dhe synon të realizojë shkëmbim të informacionit mbi llogaritë bankare/financiare të mbajtura në institucinet bankare apo financiare të një shteti, ndërmjet autoriteteve tatimore të shteteve anëtare të konventës. Shqipëria është bërë anëtare me nënshkrimin e marrëveshjes “Për shkëmbimin automatik të informacionit të llogarisë financiare”, miratuar me Vendimin nr.178, datë 9.3.2016 të Këshillit të Ministrave.
Sipas Ligjit 4/2020 “Për shkëmbimin automatik të informacionit të llogarive financiare”, Banka Kombëtare Tregtare, si çdo Institucion tjetër Financiar në Republikën e Shqipërisë, gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre, në marrëdhenie me klientët, duhet të identifikojë rezidencën e klientëve për qëllime tatimore dhe së bashku me informacione të tjerë, si Numri Identifikues si Tatimpagues, informacione mbi llogaritë/depozitat apo produkte të tjera bankare, të klientëve me rezidencë tatimore në një nga shtetet anëtare të CRS-së, ti raportojë pranë autoriteteve tatimore të Republikës së Shqipërisë, të cilat më pas i shkëmbejnë me autoritetet tatimore të vendit të rezidencës së deklaruar nga Klienti.

Të dhënat e mësipërme do të jetë e nevojshme të deklarohen nga çdo klient i bankës duke plotësuar Formularin e Vetëdeklarimit me të dhënat e tij personale.

Përse duhet të plotësoj vetëdeklarimin në bankë?

Në kuadër të zbatimit të ligjit Nr. 4/2020 “Për Shkëmbimin Automatik të Informacionit të Llogarive Financiare”, Klienti mban vetë përgjegjësi mbi deklarimin apo mosdeklarimin e Rezidencës Tatimore dhe Numrit të Identifikimit Tatimor.

Çdo klient i Bankës do të ketë përgjegjësinë personale mbi vërtetësinë e informacionit që deklaron.

Ku dhe kur duhet të plotësoj formularin e vetëdeklarimit?

  1. Në çdo kohë, duke u paraqitur në degën tuaj më të afërt me mjetin tuaj të identifikimit: Kartë Identiteti ose Pasaportë e vlefshme
  2. Formulari i vetë-deklarimit (CRS) mund të shkarkohet në linkun më poshtë.
    Ju lutem sigurohuni që të kryeni saktë plotësimin e formularit me të dhënat e kërkuara, nënshkrimin (firmosjen) e tij dhe më pas mund ta dërgoni:
    1. me postë në adresën e degës së BKT-së ku jeni klient
    2. të skanuar dhe dërgojeni me e-mail në adresën elektronike info@bkt.com.al

Vetëdeklarimi mund të bëhet dhe nga një person tjetër të cilin ju e keni autorizuar me prokurë të posaçme për të kryer këtë veprim.

Për këtë arsye, jeni të lutur të njiheni paraprakisht me kërkesat e këtij ligji për të plotësuar Formularin e Vetëdeklarimit me të dhënat tuaja personale tatimore.

*Për më shumë informacion dhe nëse keni pyetje që lidhen me plotësimin e këtij formulari, përcaktimin e rezidencës tatimore apo mënyrën e klasifikimit të subjekteve, ju lutemi vizitoni faqen zyrtare të OECD-së www.oecd.org ose konsultohuni me një konsulent fiksal/ autoritetet tatimore lokale ose referojuni faqes zyrtare të Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Shqipëri
https://www.tatime.gov.al/c/6/455/shkembimi-automatik-i-informacionit