Leximi i pasqyrës mujore

Çfarë mund të bëni me kartën tuaj?

Kartat PRIMA dhe PRIMA GOLD janë karta krediti MasterCard/VISA të lëshuara nga Banka Kombëtare Tregtare. Ju mund t’i përdorni ato për të kryer transaksione si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Ju mund të tërhiqni para CASH dhe të bëni pagesa me kartën tuaj, kudo që shikoni logon MasterCard/VISA. Ju mund të kryeni pagesa me këste, të mblidhni bonuse për shpenzimet me kartë të kryera në tregtarët partnerë të programit Prima Extra. Gjithashtu mund të shfrytëzoni ofertat e herëpashershme të blerjeve me këste pa interes, apo uljeve të mëdha që ofrohen në fushata të ndryshme promocionale të kartës Prima.

Si funksionon karta Prima?

Kjo kartë ju ofron lehtësi në administrimin e shpenzimeve tuaja. Pasqyra Mujore do t’ju paraqesë në mënyrë të detajuar tërheqjet në cash, si dhe të mirat dhe shërbimet e paguara me anë të kartës suaj, këstet mujore dhe bonuset e fituara, në mënyrë që ju të ndiqni saktësisht shpenzimet totale mujore dhe të monitoroni shpenzimet individuale. Sipas kërkesës suaj, kjo kartë mund të lëshohet së bashku me karta shtesë dhe me limite të përcaktuara nga ju.

Si ta lexoni pasqyrën mujore

Limiti Total i Kartës: Shuma totale që ju është vënë në dispozicion nga banka për ta shpenzuar me kartën tuaj të kreditit. Kini parasysh që të gjitha kartat shtesë ndajnë të njëjtin limit me kartën kryesore.

Limiti i Tërheqjes në cash: Sasia e limitit qe ju mund të tërhiqni në formën e parave cash në ATM.

Numri i Llogarisë: Numri i llogarisë me të cilin është e lidhur karta.

Limiti i Mbetur i kartës: Limiti i mbetur i disponueshëm për përdorim që llogaritet nga limiti total i kartës duke hequr limitin e përdorur te saj. 

Shuma për t’u paguar për periudhën: Detyrimi total mujor i kartës. 

Shuma minimale për t’u paguar: Minimumi i Detyrueshëm është shuma minimale e detyrimit total që rezulton Pasqyrën Mujore dhe është e detyrueshme të paguhet deri në datën e fundit të pagesës. Nëse nuk paguhet në kohë mbi minimumin e detyrueshëm aplikohen komisione dhe interesa penalizuese.

Data e Nxjerrjes së Llogarisë: Data në të cilën faturohen të gjitha transaksionet e kryera me kartë, detyrimet e mbartura nga muajt paraardhës, ngarkimi i interesave dhe komisioneve dhe pagesat e kryera nga klienti, në një përmbledhje të detajuar që pasqyron datat dhe shumat në të cilat është kryer çdo veprim si dhe detyrimin total e minimal që kartëmbajtësi i detyrohet bankës. 

Data e Pagesës: Data e fundit në të cilën është e detyrueshme të shlyhet minimumi i detyrimit tuaj mujor.

Data e Transaksionit: Data në të cilën është kryer veprimi me kartë.

Përshkrimi: Përshkruan llojin e transaksioneve të kryera gjatë periudhës ndërmjet dy Pasqyrave Mujore së njëpasnjëshme.

Bonus i fituar/shpenzuar: Sasia e bonusit te fituar (në rast se ka, pra është i ndryshëm nga 0) nga programi Prima Extra për çdo transaksion . Programi Prima Extra i jep mundësi kartëmbajtësit të fitojë bonuse (në formën e vlerave monetare ose pikëve) për blerjet e kryera  tek tregtarët Partnerë të Prima Extra, te cilët  kanë një marrëveshje me Bankën për këtë sipas përqindjeve të rëna dakord mes Bankës dhe Partnerëve. 

Shuma: Shuma e transaksioneve të kryera me kartën tuaj e shprehur ne lëkë shqiptare.

Këstet e mbetur: Në rast se transaksioni është një blerje me këste tregohet vlera e çdo kësti dhe numri total i kësteve brenda kllapave, dhe jashtë tyre tregohet cili këst është ky që po faturohet në këtë Pasqyrë Mujore.

Balanca Aktuale: Shuma totale e detyrimit tuaj në datën e Pasqyrës Mujore aktuale, përfshin detyrimin e mbartur dhe atë aktual.

Balanca e mëparshme: Detyrimet që rezultojnë të papaguara nga Pasqyra Mujore e mëparshme.

Blerjet: Paratë e shpenzuara për blerjen e të mirave dhe shërbimeve me kartë në POS dhe në Internet.  

Pagesat: Çdo shumë që paguhet nga ju si shlyerje tërësore apo e pjesshme e detyrimit të kartës tuaj të kreditit.

Tërheqjet në cash: Paratë e tërhequra në ATM me kartën e kreditit.

Interesa dhe komisione:  Shuma totale e gjithë komisioneve apo interesave në rast se ka, të faturuara në këtë Pasqyrë Mujore.

Detyrimi Mujor për Blerjet me Këste: Shuma totale e të gjitha kësteve mujore të faturuara në këtë Pasqyrë Mujore në rast se kemi pagesa me këste.

Bonusi i Mbartur: Sasia akumulative e bonuseve të mbledhura nga periudhat e mëparshme  që nuk janë shpenzuar. 

Bonusit i Fituar Mujor: Sasia totale e bonuseve të mbledhura nga blerjet e periudhës për të cilin është gjeneruar kjo Pasqyrë Mujore. 

Bonusi i Shpenzuar: Sasia totale e bonusit që është shpenzuar në periudhën për të cilën gjenerohet Pasqyra Mujore.

Bonusi Total: Bonusi total i vlefshëm për t’u shpenzuar, i cili rezulton nga shuma e bonuseve të mbartura me bonuset e fituara mujore duke hequr bonuset e shpenzuara. 

Interesi i kartës: Interesi normal i kredisë që aplikohet për pjesën e mbetur të detyrimit pa minimumin e detyrueshëm dhe llogaritet në çdo rast kur detyrimi i kartës nuk paguhet i plotë para datës së fundit të pagesës. Përllogaritet për pjesën e mbetur të detyrimit për aq ditë sa rezulton i pambuluar me normën e shpallur të Interesit të Kartës. 

Interesi për pagesë të vonuar: Interesi që llogaritet në rastet kur Minimumi i Detyrueshëm nuk paguhet i plotë para Datës së Fundit të Pagesës. Ai përllogaritet mbi shumën e pambuluar të Minimumit të Detyrueshëm për aq ditë sa rezulton i pambuluar. 

Komisioni për pagesë të vonuar: Komision fiks që aplikohet kur pagesa e kryer është më e vogël se shuma minimale e detyrueshme për t’u paguar.

Komisioni i tërheqjes cash: Komision i mbajtur në rastin kur kartëmbajtesi tërheq në cash nga limiti i kartës së tij. 

Interesi i tërheqjes cash: Interes që aplikohet sa herë ka një tërheqje cash nga karta. Përllogaritet mbi shumën totale të tërhequr cash për aq ditë sa është e papaguar. 

Komisioni për tejkalimin e limitit: Vendoset nëse detyrimi juaj e tejkalon limitin total të kartës.

Komisioni Vjetor i Kartës: Komision fiks i cili aplikohet çdo vit për kartën dhe shërbimet e ofruara prej saj, i cili është ndryshe për kartat Standard dhe ndryshe për kartat Gold.

Transaksionet dhe Kundërshtimet: 

Transaksione konsiderohen të gjitha veprimet e kryera nëpërmjet kartës në terminalet POS/EFTPOS (Electronic Fund Transfer Point of Sale) dhe ATM, në të cilat karta është prezente fizikisht, si dhe nëpërmjet internetit, telefonit ose mjeteve të tjera elektronike të komunikimit në të cilat karta nuk është prezente fizikisht.

Nëse keni ndonjë kundërshtim në lidhje me transaksionet e pasqyruara në Pasqyrën Mujore, duhet menjëherë të njoftoni bankën me shkrim brenda 30 ditëve nga data e kryerjes së transaksionit. Në rast të kundërt, transaksionet e faturuara në Pasqyrën Mujore do të supozohen të pranuara nga ju. Në rast se kundërshtimi juaj nuk pranohet, duke u bazuar në rregullat e MasterCard/Visa, shuma e kundërshtuar do t’ju ngarkohet bashkë me interesat dhe komisionet përkatëse.

Shënim:

Interesat dhe komisionet janë subjekt ndryshimesh nga BKT.

Interesat e paraqitura në Pasqyrën Mujore janë interesa me bazë mujore. 

Normat e interesit dhe komisionet e aplikuara për kartën që janë në fuqi aktualisht mund t’i gjeni në Kushtet e Punës së BKT në faqen e zyrtare të internetit www.bkt.com.al 

Si mund të kontaktoni me ne:

Për të raportuar një kartë të vjedhur apo të humbur, telefononi menjëherë në numrin +355 (4) 22 66 288 ose në numrin e degës suaj.

Për pyetje apo sugjerime:

Tel:     +355 (4) 22 66 288

E-mail: callcenter@bkt.com.al

Këtu mund të aplikoni për kartë krediti BKT Prima